Situata me zjarret në Shqipëri/ Ministria e Mbrojtjes: 26 vatra në 24 orë, mbi 56 hektarë të djegura – ja zonat më problematike
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit, të cilat janë neutralizuar falë një ndërhyrjeje të pandërprerë nga forcat operacionale në terren.
Zjarret janë evidentuar në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër, Dibër, Korçë, Tiranë, Kukës, Durrës dhe Berat, duke përfshirë kryesisht sipërfaqe me bimësi. Si pasojë, janë djegur rreth 56 hektarë tokë, përfshirë pemë, shkurre dhe barishte.
Në Durrës, një vatër zjarri në një treg industrial shkaktoi dëme të konsiderueshme në mallra dhe pajisje, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve.
Një tjetër zjarr u shënua në dy puse nafte në fshatin Kozare të bashkisë Kuçovë, ku për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikësit e Kuçovës dhe Beratit, forca policore dhe punonjës bashkiakë. Për pasojë, u dëmtuan dy elektromotorë në puset e naftës. Shkaku i zjarrit është bërë këputja e telave të tensionit të ulët.
Në total, për përballimin e situatës u angazhuan 64 automjete zjarrfikëse, 449 forca operacionale, si dhe 2 automjete të Forcave të Armatosura me 14 efektivë, përveç një helikopteri Cougar për ndërhyrje nga ajri.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme parashikohet nivel rreziku “i lartë” nga zjarret në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa pjesa tjetër e vendit është në nivel rreziku “të moderuar”.