Situata me zjarret, Ministria e Mbrojtjes: 18 vatra në 24 orë, 3 ende aktive – Dëme të mëdha në bimësi dhe ullinj

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten ende aktive në qarqet Vlorë dhe Dibër.

Aktualisht aktive janë:

  • Orikum, Vlorë – Në zonën “Sotiran”, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat, po përballet me një vatër aktive në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren ndodhen 8 zjarrfikëse, forca bashkiake dhe të pyjores, si dhe 20 ushtarakë të Forcave të Armatosura.
  • Bulqizë, Dibër – Vatra në “Livadhi i Peladhisë” ka përfshirë 18 hektarë pyje me pisha dhe dëllinja. Po punohet nga forcat operacionale dhe pritet mbështetje me 25 persona shtesë.
  • Parku Kombëtar Lurë, Dibër – Zjarri në zonën “Liqeni i Luleve” vijon të jetë aktiv brenda perimetrit të vet, por me intensitet të ulët. Në shuarjen e tij janë angazhuar efektivë të MZSH dhe AdZM.

Sipas raportit, janë djegur në total 36 hektarë bimësi, përfshirë shkurre dhe pyje, si dhe 2500 rrënjë ullinj mbi 10 vjeç në Poliçan. Po ashtu, në Kuçovë janë djegur rreth 30 rrënjë pemë frutore, përfshirë kumbulla, fiq dhe hardhi, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik.

Policia e Shtetit ka ndaluar një person të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në Poliçan.

Në operacionet për përballimin e situatës u angazhuan 237 forca, 28 automjete zjarrfikëse, 40 ushtarakë të FA dhe një helikopter Cougar.

Parashikimet nga IGJEUM tregojnë për rrezik të lartë zjarri në qarqet Fier dhe Vlorë, ndërsa situatë më e moderuar pritet në qarqet Lezhë, Tiranë, Berat, Korçë e Gjirokastër.