Situata e zjarreve në vend përkeqësohet! 4 vatra aktive, rrezik i lartë në shumicën e qarqeve

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 25 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ndërsa 4 prej tyre vijojnë të jenë aktive edhe sot. Më të rrezikshmet ndodhen në zonat malore dhe pyjore, duke përfshirë edhe Parkun Kombëtar të Lurës.

Aktualisht, vatrat aktive ndodhen në:

-Sotiran, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat (njësia Orikum, bashkia Vlorë), ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre e ferra në terren malor. Forcat zjarrfikëse dhe Shërbimi Pyjor po punojnë në zonë me mbështetje ajrore nga helikopteri “Cougar” i Forcës Ajrore.

-Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan – vatra mbetet në monitorim, pa rrezik për përhapje.

-Livadhi i Peladhisë, njësia Zerqan, bashkia Bulqizë – flakët kanë përfshirë sipërfaqe me pisha e dëllinjë. Terreni i vështirë e largësia e zonës po e bëjnë ndërhyrjen sfiduese.

-Liqeni i Luleve, Parku Kombëtar Lurë, bashkia Dibër – një nga vatrat më të rrezikshme. Sot në terren janë angazhuar zjarrfikës, forca të AdZM, bashkia Dibër dhe vullnetarë, ndërsa është përfshirë edhe mbështetje ajrore.

Përveç këtyre, në dy raste janë raportuar edhe zjarre në banesa dhe një godinë biznesi, me dëme të konsiderueshme materiale. Në total janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi, kryesisht pemë, shkurre dhe barishte.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 30 automjete zjarrfikëse dhe 351 forca, përfshirë 59 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter, mjete zjarrfikëse, pompë thithëse dhe traktorë me zinxhirë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot shumica e qarqeve ndodhen në nivel rreziku “I LARTË” për zjarre.