Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të zgjedhë sot, 16 mars 2025, kryepeshkopin e ri, pas ndarjes nga jeta të Anastas Janullatos.
Procesi i zgjedhjes do të zhvillohet në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore, dhe do të ndjekë dispozitat e Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas një njoftimi zyrtar të Sinodit të Shenjtë.
Më 30 janar, mijëra besimtarë ortodoksë, drejtues të kishave nga e gjithë bota dhe përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij grek, i dhanë lamtumirën e fundit kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë më 25 janar 2025, në moshën 95-vjeçare, në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë.
Lidhja e Janullatosit me Shqipërinë
Anastas Janullatos u caktua Eksark Patriarkal në Shqipëri në vitin 1991 dhe u fronëzua si kryepeshkop më 2 gusht 1992, në moshën 63-vjeçare.
Gjatë më shumë se tre dekadave në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ai udhëhoqi ringritjen e kishës pas dekadave të ndalimit të fesë nga regjimi komunist. Gjatë kësaj kohe, ai mundësoi ringjalljen e mbi 400 famullive, krijimin e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës dhe hapjen e dy liceve kishtare, ku u shkolluan mbi 150 klerikë.