EMRAT/ Sillnin armë dhe municion për t’i shitur në Shqipëri, arrestohen 2 persona nga …

Finalizohet pas hetimeve disamujore, operacioni policor i koduar “Suspend”.

Në pranga ranë dy shtetas nga Kosova, të cilët trafikonin armë zjarri nga Kosova, me qëllim shitjen.

Gjatë arrestimit të Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi, policia sekuestroi 2 pistoleta dhe municion luftarak.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë të cilët dyshohet se i kanë trafikuar 2 pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10 000 euro.

Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:

A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.

Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.