Si u lirua Fatjon Murati? Gjykata e Tiranës njoftim zyrtar

Gjykata e Tiranës ka dalë sot me një njoftim zyrtar në lidhje me lirimin e Fatjon Muratit, personit që kishte në pronësi lokalin ku ndodhi atentati mbrëmë në Don Bosko.

 

GJYKATA E RRETHIT GJYQËSOR TIRANË

 DHOMA PENALE

Rr Jordan Misja, Tiranë, adresë web: www.gjykatatirana.gov.al

                                                                      

NJOFTIM PËR SHTYP

Referuar interesit të shfaqur mediatik, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:

  1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e arsyetuar, me numër 1575/1, datë 11.10.2022, pasi ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit për “Vleftësimin e arrestit të kryer në flagrancë” si dhe “Caktim mase sigurimi”, ndaj personit nën hetim Fatjon Murati, ka vendosur: “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrance dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim Fatjon Murati.
  2. Me vendimin Nr. 1575/2, datë 28.12.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë[1], Gjyqtari i hetimit paraprak, pasi ka shqyrtuar kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit caktuar ndaj personit nën hetim Fatjon Murati”, pasi ka administruar: provat shkresore (të dorëzuara nga palët), të gjitha rrethanat e reja, të ndryshuara, ka konstatuar ndryshimin/zbutjen e akuzës penale në ngarkim të këtij shtetasi, nga vepra penale e “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, në atë të parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3-të i Kodit Penal (për të cilin parashikohet një marzh dënimi 1-3 vjet burgim), ka verifikuar të gjitha rezultatet në të cilat ka arritur hetimi paraprak, i cili ka rezultuar i përfunduar, të cilat në zbatim të nenit 260 të K.Pr.Penale, ndryshonin dhe zbutnin ndjeshëm pozitën proçedurale të këtij shtetasi, në kuadër të këtij proçedimi penal, referuar të gjitha argumenteve ligjore, të pasqyruara në vendimin e arsyetuar, Gjykata ka vendosur: “Zëvendësimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në atë të “Arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit/ tashmë në cilësinë e të pandehurit Fatjon Murati.
  3. Në datën 16.01.2023, ky vendim ka marrë formë të prerë, i pa-ankimuar nga asnjëra prej palëve ndërgjyqëse.
  4. Në datën 17.01.2023, është depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale, kërkesa me objekt:Dërgimin e çështjes në gjyq, për të pandehurin Fatjon Murati, i akuzuar për veprën penale të Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3-të i Kodit Penal.
  5. Në datën 20.01.2023, është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale, kërkesa me objekt:Dërgimin e çështjes në gjyq, për të pandehurin Fatjon Murati, i akuzuar për veprën penale të Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3-të i Kodit Penal.
  6. Në datën 27.02.2023, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjyqtari i seancës paraprake, ka disponuar me vendim për “Dërgimin e çështjes penale në gjyq”, në séance themeli, dhe vijimin e gjykimit të kësaj çështje, në kuadër të gjykimit me ritin e posaçëm, atë të Gjykimit të Shkurtuar. Aktualisht çështja penale vijon në gjykim.
  • Bashkëngjitur këtij komunikimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendos në dispozicion kopjet e anonimizuara[2] të vendimeve të sipër cituara (të disponuara në arkivën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë), në formatin PDF.
  • Bazuar në nenet 103, 104, 105 të Kodit të Proçedurës Penale, ndalohet publikimi i akteve (sekrete dhe jo sekrete), qoftë edhe i pjesshëm i tyre, deri në përfundimin e hetimeve paraprake, sikurse edhe i akteve të shqyrtimit gjyqësor kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura.

Koordinatore për të drejtën e informimit,

 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë,

Ola Ismaili

e-mail: oismaili@gjykatatirana.gov.al

tel: +355 69 53 35 955

[1] Shiko arsyetimin e vendimit Nr. 1575/2, datë 28.12.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

[2] Në zbatim rigoroz të neneve 103, 104, 105 të Kodit të Proçedurës Penale.