Si u kap reperi dhe banda e tij? Torturuan dhe rrëmbyen djalin e biznesmenit, tentuan t’i prisnin gishtat
Detaje të tjera kanë dalë nga rrëmbimi brutal që ndodhi mëngjesin e 6 majit në zonën Hymettus të Athinës, ku katër persona – mes tyre edhe reperi i njohur grek Ivan Greko – u përfshinë në një plan zhvatjeje që përfundoi me tortura dhe tentativë gjymtimi ndaj një 24-vjeçari, djali i një biznesmeni të njohur.
Katër autorët e rrëmbimit, përfshirë Grekon, kanë sulmuar të riun pranë një garazhi duke e goditur dhe plagosur me mjete të mprehta në këmbë. Me kërcënimin e vdekjes, ata e futën në makinë dhe u nisën drejt Saronidës, në një udhëtim torturues që zgjati pesë orë.
Gjatë rrugës, i riu u dhunua vazhdimisht me grushta, kaçavida dhe thikë, teksa i kërkohej një shumë totale prej 50 mijë eurosh – 25 mijë në para të gatshme dhe një motoçikletë BMW po me të njëjtën vlerë. Në një moment, në një plazh të braktisur në Saronidë, autorët tentuan t’i prisnin gishtat me një prerës hekuri, por ai rezistoi.
Pasi i kërkuan të telefononte miqtë për të mbledhur paratë, e lanë përkohësisht vetëm për të shkuar në Glyfada, ku pritej pagesa. Por i riu arriti të shpëtonte dhe njoftoi një mik, që aktivizoi menjëherë policinë.
Në mbrëmjen e 22 majit, policia kreu një operacion në disa zona të Atikës, duke arrestuar të gjithë autorët e dyshuar.
Ndaj Ivan Grekos dhe tre bashkëpunëtorëve të tij, autoritetet ngritën 11 akuza, përfshirë: rrëmbim, organizatë kriminale, dëmtime të rënda trupore, armëmbajtje pa leje, përdorim të armëve, falsifikim, grabitje dhe dhunë ndaj punonjësve.
Reperi Ivan Greko nuk është emër i panjohur për autoritetet. Ai është dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë, ka shkelur kodin penal ushtarak dhe ka vjedhur një makinë policie me një efektiv brenda. Dyshohet gjithashtu për lidhje me një atentat në zonën e Ano Liosia.