Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, ka folur gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar në lidhje me përfshirjen e saj në hetimet e SPAK. Ajo ka sqaruar se bashkëshorti i saj, i cili ka një biznes në fushën e teknologjisë së informacionit, ka ofruar shërbime për organizatën jofitimprurëse BYL-A, por gjithçka është bërë sipas ligjit dhe e dokumentuar.
“Bashkëshorti im ka një biznes që ofron shërbime të teknologjisë së informacionit që prej vitit 2006. Ai ka faturuar OJF-në BYL-A për shërbime hostimi, mirëmbajtje dhe faqe interneti me kosto rreth 16 euro në muaj. Gjithçka është e dokumentuar,” tha Bushka.
Duke iu referuar akuzave ndaj saj, deputetja shtoi se është e pafajshme dhe theksoi se situata ka ndikuar rëndë në familjen e saj.
“112 mijë lekë? Kolegë, a kaq vlen dinjiteti dhe emri im? Si t’ua shpjegoj prindërve të mi të moshuar që kanë sakrifikuar për ne? Si t’ia shpjegoj vajzës dhe djalit tim, shokëve të tyre, që mamaja e tyre është e pafajshme derisa të provohet e kundërta? Prezumimi i pafajësisë është një shtyllë e drejtësisë që meriton respekt nga të gjitha institucionet,” përfundoi Bushka.
Ajo kërkoi mbështetjen e kolegëve dhe një proces të drejtë që të hedhë dritë mbi të gjitha pretendimet ndaj saj.