Si po shkatërrohet Cosa Nostra? Çfarë tregoi aksioni i fundit i antimafias në Palermo

Mafia siçiliane nuk është më ajo e dikurshmja. Arrestimi i 181 personave ka treguar se Cosa Nostra ka humbur fuqinë e saj të dikurshme dhe nuk funksionon më me strukturën e Kupolës, që dikur drejtonte mafien nga maja e hierarkisë.

Në një bisedë të përgjuar nga hetuesit, bosi i lagjes “Brancaccio”, Giancarlo Romano, i vrarë një vit më parë, shprehej i zhgënjyer nga rënia e organizatës.

“Sot arrestojnë dikë dhe ai pendohet; arrestojnë një tjetër… mizerje, nivel i ulët. Për çfarë po flasim?”, dëgjohet ai të thotë në një përgjim që policia vendosi ta bëjë publik.

Çfarë ka ndodhur me Cosa Nostra?

Gjatë 20 viteve të fundit, mbi 5 mijë persona të lidhur me mafien siçiliane janë arrestuar, tonelata droge janë sekuestruar dhe sistemet e zhvatjes janë goditur nga drejtësia.

Ndryshe nga vitet 1970-1980, kur Cosa Nostra kontrollonte 30% të trafikut të drogës në SHBA dhe kishte një strukturë të rreptë hierarkike, sot mafiozët operojnë në mënyrë më të fragmentuar dhe nuk kanë një udhëheqës të padiskutueshëm.

Pas arrestimit të Toto Riina-s dhe më pas të Matteo Messina Denaro-s, Kupola, struktura që kontrollonte të gjitha familjet mafioze, nuk ekziston më. Organizata është e detyruar të përshtatet, ndërsa dominimi i vjetër i saj është zëvendësuar nga ’Ndrangheta, mafia kalabreze, që tashmë kontrollon një pjesë të madhe të trafikut të kokainës në Europë.

Kriza financiare e mafies dhe dobësimi i gjobëvënies

Një tjetër ndryshim i madh është dobësimi i “pizzo”, pra parave të mbrojtjes që mafia merrte nga bizneset lokale. Tregtarët po paguajnë gjithnjë e më pak dhe për këtë arsye, Cosa Nostra ka ndryshuar metodat, duke shmangur frikësimin e hapur dhe duke përdorur një qasje më “pajtuese” për të siguruar para.

Mes të arrestuarve të operacionit të fundit është edhe Alfonso Di Cara, i cili, sipas prokurorisë, kishte shpikur një mënyrë më të butë për të kërkuar para, duke shmangur metodat brutale të së kaluarës.

Gabimi fatal që zbuloi rrjetin mafioz

Mafia siçiliane dikur njihej për disiplinën e hekurt në komunikim, duke përdorur metoda të sigurta si “pizzini” (pusulla të koduara). Por sot, ky kujdes ka rënë.

Gjatë hetimeve të fundit, dy mafiozë – Mimmo Lapadula dhe Ivan Boracchia – bënë një gabim fatal: filluan të kopjonin kontaktet dhe t’i lexonin me zë të lartë, duke lejuar policinë t’i identifikonte të gjithë bashkëpunëtorët e tyre përmes përgjimeve.

Ky nivel i ulët sigurie tregon më së miri se Cosa Nostra nuk është më organizata e fuqishme dhe e frikshme që dikur sfidonte shtetin italian.