Si është gjendja shëndetësore e kryepeshkopit Anastas Janullatos, 48 orë pas operacionit
Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, mbetet i intubuar në njësinë intensive (ICU) në gjendje kritike, por të qëndrueshme, 48 orë pas operacionit që iu nënshtrua për trajtimin e gjakderdhjes gastrike.
Sipas spitalit Evangelismos në Athinë, ku u shtrua pasditen e së premtes (3 janar), gjendja e tij ka mbetur e qëndrueshme, dhe mjekët janë të kujdesshëm për të parë se si do të zhvillohet situata shëndetësore në ditët në vazhdim.
95-vjeçari pas një periudhe trajtimi në një klinikë në Tiranë, u transferua me avion të Forcave Ajrore të Shqipërisë për trajtim më të specializuar në Athinë.
Ai ishte diagnostikuar fillimisht me një virus sezonal, ndërsa më pas përjetoi një gjakderdhje gastrike, për të cilën iu nënshtrua një operacioni njëorësh. Aktualisht, mjekët po monitorojnë gjendjen e tij me kujdes.