Si do të jetë skenari i seancës të enjten? Berisha u shpreh se nuk mund ta zbulojë pasi “armiku do të marrë masa”
Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur në një deklaratë për mediat sot se aksioni i opozitës do të vijojë dhe se në mënyrë të pashmangshme do të shkohet drejt një proteste popullore masive.
I pyetur se cili është skenari i opozitës për seancën e të enjtes në Parlament, Berisha u shpreh se nuk mund ta zbulojë pasi “armiku do të marrë masa”, duke iu referuar mazhorancës.
Sipas tij opozita do të dëgjohet fuqishëm nga shqiptarët dhe mbarë bota në lëvizjen e saj.
“Grupi dënon me forcën më të madhe, grushtin e shtetit brenda shtetit, që ka organizuar Edi Rama, duke marrë pushtetet brenda parlamentit. Duke bllokuar fuqinë, apo pushtetin e parlamentit për kontrollin e ekzekutivit.
Pasi ka futur në xhep dhe ka skllavëruar totalisht skapin e partinë me gjykatat respektive, pra po shkohet drejt një situate që bëhet gjithnjë e më dramatike. Po shkohet drejt një situate në të cilën qytetarët shqiptarë janë të ftuar të ngrihen me gjithë guximin e tyre për të përmbysur këtë regjim puçist, këtë narkokraturë, që nuk njeh ligj, kushtetutë dhe asnjë rregull”, tha Berisha.
Pyetje: U vendos ndonjë datë për këtë protestë, z. Berisha?
Sali Berisha: U vendos, protesta vazhdon. Ju e keni parë fuqinë e saj në parlament. Do të devirsifikohet. Ju garantoj që shkohet në mënyrë të pashmangshme drejt protestës së përgjithshme popullore.
Pyetje: Cili është skenari i të enjtes, sepse të enjten miratohet buxheti nen për nen.
Sali Berisha: Nëse ne e themi skenarin sot, armiku ynë merr kundra masa. Ata masa që kanë me marrë, do të dyfishojnë numrin e gardës, nuk kanë ç’masë të marrin tjetër. Nuk marrin më 100, por marrin 200.
Pyetje: Do të lëshoni edhe tymuese z. Berisha?
Sali Berisha: Ne absolutisht do të dëgjohemi fuqishëm nga të gjithë shqiptarët dhe mbarë bota me qëndrimin tonë në parlament.
Pyetje: Data 8 dhjetor është shumë e rëndësishme për PD, por duket se PS po e merr vëmendjen e 8 dhjetorit me kongresin e saj. Çfarë do të bëjë në 8 dhjetor?
Sali Berisha: Një maskë mafioze nga Edi Rama, ajo që bën ai. Kurse PD do të vazhdojë në traditën më të shkëlqyeshme të 8 dhjetorit të përmbysë diktaturën e sotme.
Pyetje: Berisha, edhe një pyetje për aksionin në parlament. Ditën e djeshme pamë shumë pak deputetë aktivë në parlament. Flamur Noka, mban peshën kryesore. Bardhi, Albana Vokshi. Ka disa deputetë që qëndrojnë indiferentë.
Sali Berisha: Ka një grup të veprimeve operative që cakton detyrat, nuk jam unë ai që mund ti japë përgjigje kësaj.