Shuma marramendëse që i është gjetur Ajola Xoxës në kasafortën e zyrës së saj/ Kartmonedha 500 euroshe dhe…

Hetimet e SPAK ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, kanë çuar në sekuestro të pasurisë dhe llogarive bankare me vlerë mbi 869,000 euro. Gjithashtu, gjatë kontrollit në zyrat e kompanisë që administrohet prej saj, janë zbuluar dhe sekuestruar 95,350 euro cash, 14,900 dollarë amerikanë, si dhe 665,000 lekë, të cilat ishin të fshehura në një kasafortë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, masa e sigurimit pasuror përfshin edhe pronën me sipërfaqe 494 m² në zonën e Qerretit, të regjistruar në emër të kompanisë “Agi Kons” shpk. Prokuroria dyshon se këto pasuri janë përfituar përmes aktiviteteve të paligjshme, të cilat janë objekt i hetimit.

Sekuestrimi përfshin edhe llogaritë bankare të hapura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, të lidhura me Ajola Xoxën dhe disa shoqëri private në pronësi të saj. Vlera totale e parave të bllokuara është rreth 869,149.78 euro.

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se hetimet vazhdojnë, ndërsa prova të tjera pritet të dalin në dritë në lidhje me transaksionet e dyshimta dhe pasuritë e patundshme të Xoxës. Gjykata do të vendosë në ditët në vijim për fatin e këtyre pasurive dhe akuzat që rëndojnë ndaj saj.