Shuhen 10 vatra zjarri, 4 ende aktive, forcat operacionale në terren vazhdojnë ndërhyrjet

Sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, nga ora 09:00 deri në 20:30 të datës 3 Korrik 2025, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 14 vatra zjarri. Falë angazhimit të vazhdueshëm të strukturave operacionale dhe mbështetjes së forcave vendore, 10 prej këtyre vatrave janë shuar, ndërsa 4 të tjera vijojnë të jenë aktive.

Zjarret e shuar janë regjistruar në:

Fshatin Byshek, Shushicë, Elbasan

Fshatin Vehçam, Hotolisht, Librazhd

Ish-fabrika e çimentos, Nj.A. Nr. 1, Vlorë

Lagjja Nr. 6, Kavajë

Lagjja Yzberisht, Kashar, Tiranë

Fshatin Rraboshtë, Kallmet, Lezhë

Fshatin Moravë, Otllak, Berat

Fshatin Rrencë, Gur i Zi, Shkodër

Fshatin Ashtë, Bushat, Vau i Dejës

Fshatin Hoçisht, Hoçisht, Devoll

Ndërkohë, katër vatra aktive po mbahen nën kontroll me angazhimin e forcave zjarrfikëse, strukturave të mbrojtjes civile dhe Forcave të Armatosura në këto zona:

Qarku Vlorë

Zjarri në Malin e Shedenikut, midis fshatrave Grazhdan dhe Malçan, bashkia Finiq, ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me pyll pishe. Për shkak të terrenit të thepisur dhe vështirësisë në qasje, ndërhyrja direkte është e pamundur. Rreziku për banesat është eliminuar dhe zjarri po monitorohet në distancë nga një automjet zjarrfikës me 3 efektivë.

Qarku Elbasan

Në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, vijon puna intensive për shuarjen e zjarrit. Janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse me 18 efektivë, 12 mjete të tonazhit të rëndë, 5 fadroma, 2 ekskavatorë dhe një traktor me zinxhirë. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me mjete zjarrfikëse, kamionë, traktor dhe një helikopter për operacion nga ajri. Zjarri mbetet ende problematik.

Qarku Kukës

Një vatër zjarri është aktive në zonën malore midis fshatrave Gjinaj dhe Domaj, Bashkia Has. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pylli me pisha. Në operacion janë angazhuar forcat pyjore, zjarrfikës lokalë, policia, forcat bashkiake dhe vullnetarë, por për shkak të terrenit dhe kushteve atmosferike, përhapja e flakëve vijon.

Qarku Tiranë

Në fshatin Bulticë, Nj.A. Vaqarr, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje kanë ndërhyrë një mjet zjarrfikës me 4 efektivë dhe forca të policisë. Terreni i vështirë ka penguar ndërhyrjen efektive dhe vatra vijon të jetë aktive.

Autoritetet nënvizojnë se situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe forcat operacionale do të vijojnë punën gjatë natës për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të mbetura. Qytetarët këshillohen të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re tek autoritetet përkatëse.