Është mbyllur pa një vendimmarje mbledhja e sotme e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, ku u diskutua mbi mocionin e opozitës, për heqjen e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj. Kjo për shkak se deputeti socialist kërkoi kohë që të konsultohej me një jurist, për dosjen me rreth 200 faqe që është depozituar në Kuvend nga deputetët e opozitës. Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Gazment Bardhi, kërkoi që çështja të adresohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe të mos mbahet peng nga Kuvendi.
Gjatë mbledhjes nuk munguan debatet, pasi Sinaj pretendoi se nuk ka marrë asnjë para nga buxheti i shtetit, dhe se 36 mijë eurot për të cilat akuzohet janë blerje në kasë, nga institucionet, dhe jo para të marrë nga procedura publike. Edhe pse ka deklaruar se nuk do të garojë më për deputet, gjatë debateve me Bardhin, Sinaj u shpreh se opozita po e nxiste që të bëhej ‘mezor’ politikan, dhe të mendojë të garojë edhe për një mandat në zgjedhjet e ardhshme.
Bardhi: Ne nuk ju akuzuam se keni vjedhur Diçka, mirëpo kushtetuta thotë se deputetit nuk i lejohet. Vetëm se keni marrë 3 milionë të vjetra, duhet ta mbyllim këtë seancë. Duke vlerësuar gjithë gjërat që përmendet që keni bërë, dhe nuk kemi arsye pse t’i vëmë në diskutim. Por mos prisni nga asnjë deputet që qoftë për një lekë të mbyllim sytë për ata deputetë që kanë përfituar para nga Buxheti i Shtetit. Edhe nëse është vlera që ju thoni, jeni në shkelje të Kushtetutës.
Unë nuk heq apo jap mandate. Ne kemi bërë mocion, është gjykata kushtetuese. Ju duhet të shkoni dhe të mbroni veten. Ne do t’i bindemi GJK, dhe ju duhet të keni frikë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje nga GJK. Nëse besoni te personi i besuar, duhet të nxisni kolegët që dosja të shkojë në GJK. Kaq e thjeshtë është kjo çështje. Nuk ka asgjë personale në këtë mocion, ne besojmë se është shkelur kushtetuta.
Sinaj: Zoti Bardhi e kape me dorë kushtetutën. Meqë e more kushtetutën në dorë dhe hap ato që lexove dhe shiko data. Do më heqësh dhe mandatin e parë?
Bardhi: Unë do lexoj ato që dua unë, jo atë që do ti. E rëndësishme është respektimi i Kushtetutën, duhet të mbash përgjegjësi. Ke marrë 2 lekë apo 3 milionë, shko në Gjykatë Kushtetuese. Pse keni frikë kur keni respektuar Kushtetutën?
Sinaj: Nuk kam asnjë frikë se ti po vepron në këtë komision sikur je avokat djalli, jo njerëzor. Do të më nxisësh mua atë ndjenjën e krenarisë së vlonjatit dhe të them unë po do shkoj. Jo, do vazhdoj këtu dhe ne të dy do përplasemi ka mundësi dhe në mandatin tjetër, po më detyroni që të bëhem mezor politikan. I ke kërcënuar një pjesë të deputetëve. Ka shumë deputetë që nuk ta kanë dhënë firmën dhe i falënderoj. Ke vajtur me letër në dorë. Ty nuk të besojnë as të tutë.
Bardhi: E para njëherë të siguroj i nderuar koleg, se mocioni është në emër të Grupit Parlamentar. Nëse të ka gënjyer njeri, është çështja jote. Nëse ke informacion që kam shantazhuar, të nxis ti dërgosh në organet kompetente. Ti nuk je për të folur për ata që kanë firmosur, por për të dhënë shpjegime pse keni shkelur kushtetutën.