Shtyhet sërish gjyqi për Ruben Saraivën, i akuzuar për vrasjen e Ardian Nikulajt

Seanca gjyqësore ndaj portugezit Ruben Saraiva, i cili akuzohet për ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, është shtyrë sërish këtë të mërkurë në Gjykatën e Lezhës. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatit mbrojtës të të pandehurit.

Gjykimi po zhvillohet nga gjyqtari Renis Sheshi, i cili do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim themeli apo do të kthehet për plotësim hetimesh.

Saraiva u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Ai akuzohet si ekzekutori i biznesmenit Nikulaj, i cili u vra në prill 2023 në hotelin e tij në Shëngjin.

Hetimet kanë zbuluar se vrasja e Nikulajt lidhet me një zinxhir hakmarrjesh mes familjes së tij dhe fisit Lekstakaj, një konflikt që ka shkaktuar viktima të shumta ndër vite.