Shtyhet seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, kërkesë nga mbrojtja e të akuzuarve
Seanca e parë gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt është shtyrë, pas kërkesës së mbrojtjes së dy prej të akuzuarve. Nën masa të rrepta sigurie, Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj u paraqitën të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ata akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt, një ngjarje tragjike e ndodhur më 29 nëntor 2023, e cila u inskenua fillimisht si grabitje.
Avokatët e Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt kërkuan shtyrjen e seancës, duke pretenduar mungesë të shkresave të lëndës. Prokurorja e çështjes, Javorka Palinçeviq, kundërshtoi këtë kërkesë, duke sqaruar se shkresat ishin dorëzuar. “Nuk i di marrëveshjet paraprake të dy avokatëve, por kam të evidentuar që shkresat janë marrë tashmë,” tha ajo.
Pavarësisht kësaj, gjyqtarja Fatime Dermaku vendosi që seanca të shtyhet për shkak të pretendimeve të mbrojtjes, duke caktuar datën 31 janar 2025 për vijimin e procesit.
Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi më 29 nëntor 2023, kur Liridona Ademaj u vra në atë që fillimisht u inskenua si një plaçkitje. Hetimet zbuluan më vonë se urdhri për vrasjen erdhi nga ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ai akuzohet si organizatori kryesor i krimit, ndërsa të tjerët dyshohet se kanë bashkëpunuar në zbatimin e planit makabër.