Shtyhet seanca paraprake në GJKKO për Vangjush Dakon, ja kur do të zhvillohet
Është shtyrë seanca paraprake në GJKKO për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.
Sipas burimeve, bëhet e ditur se shkak për shtyrjen e seancës është bërë arsyeja se disa prej të pandehurve nuk kanë marrë njoftim, ndërsa vetë Dako ishte prezent në sallën e gjyqit.
Po ashtu mësohet se seanca e radhës është caktuar më 26 janar 2024.
Kujtojmë se në seancën paraprake të ditës së sotme në GJKKO do të shqyrtohej kërkesa e SPAK për të kaluar dosjen për gjykim për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar për ‘shpërdorim detyre”.
Vetë Vangjush Dako akuzohet për ‘shpërdorim detyre’ lidhur me tenderin për projektin e zhvillimit të vijës bregdetare dhe për lejen e ndërtimit të një pallati.