Shtyhet seanca e parë në gjyqin e themelit ndaj vrasësit të grave Dan Hutra. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e një anëtareje të trupit gjykues.Në pamje dëgjohet Hutra teksa i flet gazetarëve të lënë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe të mos gënjejnë.
Nga kafazi prej xhami, Dan Hutra u është drejtuar mediave duke u thënë: ‘Mos gënjeni shumë”.Kujtojmë se disa muaj më parë, Dan Hutra tentoi të arratisjen nga burgu i Fierit, por nuk ia doli. Planin kriminal për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar dhe në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë, përkatësisht Martin Kapllani, Geraldo Veizi dhe Feti Kovaçi, të akuzuar për vjedhje.
Në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara. Hutra u arrestua vitin e kaluar, pasi kreu masakrën e trefishtë, ku ekzekutoi 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në zona të ndryshme të Tiranës.
Kush është Dan Hutra?
Dan Hutra, një ish-i dënuar për vrasjen e gruas në 2007, kreu dy vrasjet e para në orën 12:30 të mesditës së 1 marsit 2022 në Kodër Kamëz. Një person me precedentë të shumtë penalë, i cili sapo ishte liruar nga burgu. Por mesa duket ai nuk kishte reflektuar pas krimeve të rënda që kishte kryer, duke shkaktuar një masakër.
Ai vrau në oborrin e banesës së ish-bashkëjetueses së tij motrën e saj Mevlute Hysa, 30 vjeç. Si dhe la të vdekur të fejuarën e vëllait të ish-partneres së tij, Hasime Dafku, po 30 vjeç. Gjithashtu të plagosur mbetën Kujtime Hysën, nëna ish-bashkëshortes së tij si edhe Alketa Hysa.
Jo shumë larg vendit të kësaj ngjarje, disa orë më vonë një tjetër vrasje tronditi opinionin publik.
Edhe në këtë rast viktimë u bë një grua. Ajo rezultoi të jetë Etleva Kurti, e cila u qëllua brenda oborrit të banesës së prindërve në Kamëz. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i cili po vuan dënimin për vrasjen e biznesmenit Agim Buci dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative për grabitjen e një marketi.
Dan Hutra ishte një person me rekorde të pafundme kriminale në familje dhe në vitin 2007 rezulton se kishte vrarë me thikë, bashkëshorten e tij të parë, ngjarje e ndodhur në Kukës.
Siç u raportua, ai goditi 2 herë me thikë në zemër bashkëshorten Dafina Havalja, në atë kohë vetëm 25 vjeçe. Por ky duket se nuk ishte veprimi i parë i dhunshëm që Dan Hutra kishte kryer brenda familjes. Pasi ai thuhet se para se të martohej me Dafina Havaljan, ai ishte dënuar për heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe tentativën për përdhunimin e tyre, krime për të cilat thuhet se kreu vetëm 3 vite heqje lirie.
Ndërsa u kthye sërish në qeli në vitin 2007 si vrasës i bashkëshortes së tij të parë, krim të cilin e pranoi edhe para gjykatës. Ai tha se ishte ai vrasësi i gruas së tij, Dafinës, për të cilën deklaroi se e kishte goditur me thikë pasi ishin grindur dhe se gjithçka e kishte bërë pa vetëdije.