Shtyhet gjyqi për “Sterilizimin” – Klodian Rjepaj: Po na persekutojnë me një devijim të qëllimshëm, nuk ekziston projekti i sterilizimit
Seanca gjyqësore për çështjen e sterilizimit është shtyrë për më 28 maj, pasi avokati i të pandehurit Klodian Rjepaj mungoi për arsye familjare. Në deklaratën e tij para gjykatës, Rjepaj përsëriti pretendimet se ndaj tij dhe të tjerëve të përfshirë është ngritur një çështje e paragjykuar politikisht dhe mediatikisht, duke u shprehur se nuk është lejuar një debat profesional dhe shkencor mbi projektin.
Rjepaj këmbënguli se ajo që po quhet “projekti i sterilizimit” është në fakt një devijim i qëllimshëm nga projekti i vërtetë dhe nuk përputhet me asnjë dokument apo procedurë reale. Ai tha gjithashtu se çdo vendim i marrë deri më tani nga drejtësia ka qenë i mbushur me paragjykim.
Klodian Rjepajt: Ne jemi këtu për një procedurë, që ka gati 19 vite që diskutohet, paragjykohet, akuzohet dhe në asnjë rast kjo çështje nuk është lejuar të debatohet shkencërisht, por është debatuar në mënyrë folklorike, mediatike dhe politike.
Paragjykimi për këtë çështje është shumë i madh. Deri më sot çdo vendim gjykate ka treguar paragjykim ndaj kësaj çështjeje. Nga ana mediatike, sterilizimi është bërë si thesi bosh i miellit, që sa herë e shkund, nxjerr tym.
Në respekt të kirurgëve dhe stafeve mjekësore, që janë ndihmuar nga ky shërbim, duhet bërë një debat i mirëfilltë. Kisha shkruar me shkrim dore sot, por më ra një shishe ujë mbi letra dhe u shpërnda boja.
Projekti i Sterilizimit është një devijim nga projekti i vërtetë. Është devijim i qëllimshëm për të bërë persekutim. Nuk ekziston projekti i Sterilizimit. Të gjithë elementët në kallëzim nuk përputhen me elementët e projektit.
Nuk është gjykuar deri sot që akt-padia e bërë nga ‘Nisma Thurje’ është e rreme, mbi fakte të pavërteta.”