Shtohet një akuzë e re nga SPAK për Erion Veliajn! Ja për çfarë bëhet fjalë
Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, i është shtuar një akuzë e re nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Përveç akuzave për pastrim parash dhe korrupsion, Veliaj tashmë akuzohet edhe për futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit.
Sot (20 mars), ai është dërguar përkohësisht nga paraburgimi i Durrësit në Prokurorinë e Posaçme, ku ka dhënë shpjegime për hetimet ndaj tij. Seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, pas së cilës ai është rikthyer në paraburgim. Marrja në pyetje është zhvilluar në prani të avokatëve të tij, Ermir Beta dhe Artur Selmani.
Telefonata që rëndoi pozitat e Veliajt
Sipas të dhënave të SPAK, më 13 mars, kur Veliaj u la në burg nga Apeli i GJKKO, një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë transferimit të tij nga paraburgimi i Durrësit për në Apelin e GJKKO-së në Tiranë. Një oficer i burgjeve i ka dhënë Veliajt telefonin e tij personal për të kryer telefonata.
Në një dëshmi të mëvonshme, oficeri ka pranuar veprimin, duke thënë se e kishte bërë “nga frika”. Për këtë arsye, SPAK ka marrë nën hetim disa oficerë të burgjeve, të cilët e shoqëronin Veliajn atë ditë.
Përgjimet dhe pretendimet e Veliajt
Gjatë seancës në Apelin e GJKKO, Veliaj ka kundërshtuar provat e reja të SPAK, duke i cilësuar si “çimka dhe telefonata familjare”. Ai ka pretenduar se prokuroria ka përgjuar për një muaj bisedat e tij me familjen dhe se këto regjistrime nuk kanë lidhje me akuzat ndaj tij.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen, si dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore,” është shprehur Veliaj në seancë.
Ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet me dyer të hapura, duke theksuar se ende është kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur nga qytetarët. “Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale,” ka deklaruar ai.
Hetimet ndaj Erion Veliajt vijojnë, ndërsa SPAK po shqyrton të gjitha provat që e lidhin atë me veprimtaritë e dyshuara kriminale.