Shtohet fondi për fatkeqësitë natyrore/ Më shumë para në buxhetin e ri
Stuhia e së premtes që goditi vendin duke lënë pas dëme në disa qytete ishte një kambane e ndryshimeve klimatike që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
E pikërisht për të përballuar fatkeqësitë natyrore buxheti i vitit 2024 do të rritet. Në total për fatkeqësitë natyrore dhe digat për vitin 2024 planifikohen të shpërndahen 2.5 miliardë lekë nga 2 miliardë lekë që është fondi i parashikuar për këtë vit.
Emergjencat Civile do të marrin 5 .3 miliardë lekë në vitin 2024 nga 4.3 miliardë lekë i parashikuar për këtë vit.
Në buxhetin e emergjencave janë 1 miliardë lekë që do të përdoren për projekte për të parandaluar fatkeqësitë natyrore si zjarre, përmbytje dhe tërmete. Për të përfituar nga ky fond bashkitë duhet të aplikojnë nga nëntori i këtij viti deri në 31 janar 2024, ndërsa fituesit shpallen brenda 15 shkurtit të vitit që vjen. Vlerësimi i projekteve bëhet Komisioni për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore.
Më pas po në këtë program 500 milionë lekë do të përdoren për financimin e projekteve për digat, dhe 200 milionë lekë do të shpenzohet për eliminimin e pasojave në rastet e fatkeqësive natyrore, kur shpenzimi ka natyrën e investimit. Ky fond shpërndahet gjatë vitit në bazë të kërkesës bashkive, sipas rasteve të ndodhjes së fatkeqësisë.