Shteti u bën thirrje qytetarëve: Bashkohuni me Policinë e Shtetit, luftoni krimin pa pagë! Ja kush mund të bëhet polic vullnetar

Qeveria ka miratuar një vendim të ri për organizimin dhe funksionimin e Policisë Vullnetare, duke zëvendësuar vendimin e mëparshëm të vitit 2019. Vendimi është mbështetur në ligjin e ri për Policinë e Shtetit dhe ka për qëllim rritjen e sigurisë publike, forcimin e kapaciteteve të policisë dhe përfshirjen aktive të qytetarëve në ruajtjen e rendit.

Çfarë është Policia Vullnetare?

Policia Vullnetare është një strukturë ndihmëse e Policisë së Shtetit, në të cilën qytetarët mund të angazhohen vullnetarisht, pa pagesë, për të ndihmuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Këta qytetarë nuk janë punonjës policie, por trajnohen dhe certifikohen nga Akademia e Sigurisë për të kryer detyra të caktuara në bashkëpunim me forcat zyrtare të policisë.

Sa orë shërbejnë dhe si përzgjidhen?

Shërbimi i policëve vullnetarë nuk mund të zgjasë më shumë se 5 orë në ditë dhe 25 orë në javë. Numri i tyre përcaktohet çdo vit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nevojave dhe propozimeve të drejtorive vendore të policisë.

Angazhimi formalizohet me një kontratë vullnetarizmi, që rregullon të drejtat, detyrimet, kohëzgjatjen dhe kushtet e shërbimit.

Cilat janë kriteret për përfshirje?

Për t’u përfshirë në Policinë Vullnetare, qytetarët duhet të plotësojnë disa kushte bazë:

-Të mos jenë persona me precedentë penalë,

-Të mos kenë qenë të dënuar,

-Të mos jenë gjyqtarë apo prokurorë në funksion,

-Të mos mbajnë armë gjatë shërbimit,

-Të jenë të certifikuar nga Akademia e Sigurisë.

Policët vullnetarë do të veprojnë nën mbikëqyrjen e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Fushat ku do të angazhohen

Policët vullnetarë do të ndihmojnë në:

-Menaxhimin e rendit gjatë aktiviteteve masive,

-Rregullimin e trafikut rrugor,

-Patrullimin pranë shkollave,

-Parandalimin e krimit dhe dëmtimit të mjedisit,

-Mbrojtjen e pronës dhe ndihmën në raste emergjencash civile.