“Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”/ Rama ‘shpjegon’ Kanunin në Samitin Europian: Dreka nuk është falas asnjëherë, por këtu është ndryshe
Në përfundim të sesionit të parë të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri një batutë me liderët evropianë, duke u ndalur te traditat shqiptare të mikpritjes. Rama përmendi Kanunin, kodin e lashtë zakonor, për të nënvizuar rëndësinë që shqiptarët i kushtojnë mikut dhe mysafirëve.
“Në Kanunin tonë të shkruar kohë më parë, ka një kapitull për mikpritjen. Fillon me një citim që thotë se ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Dhe kjo fjali është vërtet e thellë. Është origjinë e faktit që ne mbaruam, arritëm në fund të Luftës së Dytë Botërore si vendi që në atë moment kishte më shumë hebrenj se në fillim. Erdhën si miq që u mbrojtën, që shqiptarët i mbrojtën me jetën e tyre,” tha Rama.
Duke qëndruar në të njëjtën frymë, kryeministri shtoi me humor se ndryshe nga shumë vende ku “dreka nuk është kurrë falas”, në Shqipëri “është e kundërta”, duke lënë të kuptohet se të gjithë janë të mirëpritur pa kushte.