Shqiptari plagoset me thikë në Tuz, arrestohet bashkatdhetari i tij për tentativë vrasjeje

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Tuz të Malit të Zi, ku një shtetas shqiptar është plagosur me thikë dhe një tjetër është arrestuar nga policia si autor i dyshuar i sulmit.

Sipas autoriteteve, shtetasi shqiptar K. B., 40 vjeç, është vënë në pranga me akuzën e tentativës për vrasje, pasi dyshohet se ka goditur me thikë në shpatull një bashkatdhetar të tij, B. B., 31 vjeç, pas një konflikti verbal në një lokal në zonën e Tuzit.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit, Shërbimi i Mjekësisë Emergjente në Tuz njoftoi Departamentin e Sigurisë në Podgoricë se një person kishte kërkuar ndihmë mjekësore me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Pas ndihmës së parë, i plagosuri u transportua në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, ku mjekët konfirmuan se parametrat e tij jetësorë janë të qëndrueshëm.