Shqiptari dënohet me 16 vite burg në Zvicër për trafik droge, tradhtohet nga “Sky ECC”

Një shqiptar rreth të dyzetave, i cili jetonte në dukje si një familjar dhe zejtar i zakonshëm në periferinë e Lenzburg AG, u zbulua të kishte një jetë të dyfishtë si bos droge. Pavarësisht jetës së tij modeste në një apartament me tre dhoma, pas kësaj fasade fshihej një rrjet i madh kriminal.

Sipas raportimeve të “Aargauer Zeitung”, në vetëm gjashtë muaj ai kishte trafikuar 52 kilogramë kokainë dhe 8 kilogramë heroinë në kantonin Aargau, duke gjeneruar të ardhura që kapnin shifrën e mbi 2.5 milionë frangave zvicerane.

Hetuesit arritën të zbulojnë aktivitetin kriminal të shqiptarit përmes platformës së komunikimit të koduar Sky ECC. Pasi Europol deshifroi bisedat në këto pajisje të përdorura kryesisht nga rrjete kriminale, autoritetet zvicerane siguruan prova të forta, përfshirë fotografi të parave të gatshme dhe udhëzime të detajuara për shpërndarjen e drogës.

I akuzuari u identifikua përmes emrit të përdoruesit “TP46MT”. Paralelet mes bisedave të zbuluara dhe jetës reale të shqiptarit forcuan akuzat kundër tij. Në gjykatë, ai zgjodhi të heshtë, ndërsa avokati mbrojtës kërkoi që provat e mbledhura përmes bisedave të mos pranoheshin.

Megjithatë, Gjykata e Qarkut në Lenzburg ndoqi argumentet e prokurorisë dhe dënoi të akuzuarin me 16 vite burg dhe 15 vite dëbim nga Zvicra. Ky vendim vjen si një tjetër goditje ndaj rrjeteve kriminale që përdorin teknologjinë për të fshehur aktivitetet e tyre.