Shqipëria voton pro Francës për të udhëhequr Rrjetin Evropian të Inspektimeve të Drejtësisë
Inspektori i Lartë i Drejtësisë përfaqësoi Shqipërinë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), e cila u zhvillua në Lisbonë të Portugalisë. Gjatë këtij aktiviteti të rëndësishëm, Shqipëria votoi pro kandidaturës së Francës për të marrë drejtimin e radhës të këtij rrjeti evropian.
Asambleja u zhvillua në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Portugalisë, me praninë e përfaqësuesve të shërbimeve të inspektimit të drejtësisë nga Belgjika, Bullgaria, Franca, Italia, Portugalia, Spanja, Shqipëria dhe Moldavia – e fundit me status vëzhgues që prej një viti.
Në këtë mbledhje, me votë unanime të të gjitha shteteve anëtare, RESIJ i besoi për të dytën herë presidencën Francës, duke zgjedhur në krye të rrjetit z. Stéphane Noël, shef i Inspektoratit të Drejtësisë së Francës. Kjo zgjedhje erdhi pas përfundimit të mandatit të mëparshëm të mbajtur nga Rumania.
Pjesë e rëndësishme e diskutimeve në Asamble ishin ndryshimet në statutin e rrjetit, rritja e transparencës dhe forcimi i koherencës institucionale ndërmjet anëtarëve, si dhe pritshmëritë konkrete për rritjen e bashkëpunimit me institucionet evropiane në fushën e drejtësisë.
Në kuadër të punimeve, u organizua edhe konferenca ndërkombëtare me temën “Të komunikosh drejtësinë”, e zhvilluar në sallën plenare të Gjykatës së Lartë të Portugalisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Portugalisë, magjistrati Luiz Azevedo Mendes, theksoi rëndësinë që ka qartësia dhe thjeshtësia në komunikimin e drejtësisë për të forcuar besimin e publikut tek sistemi gjyqësor.
Temat e konferencës përfshinë rolin e inspektimeve në promovimin e transparencës, mënyrën e argumentimit dhe gjuhën në vendimet gjyqësore, komunikimin e drejtësisë në raport me median, mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe sfidat dhe përfitimet që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë.