Shqipëria U-17 mbyll me barazim ‘Elite Round’, kuqezinjtë renditen të 23-ët në Europë!


Ëndrra për të kaluar në Europian është shuar totalisht për kombëtaren shqiptare U-17. Kuqezinjtë e vegjël e mbyllën me barazimin 1-1 rrugëtimin në “Elite Round”, teksa ndanë pikët me Letoninë. Në takimin e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” e vlefshme për kualifikueset e Euro2023, skuadra e teknikut Ervin Bulku ishte tepër superiore ndaj kundërshtarit.

Rasti më i mirë për kuqezinjtë e Bulkut vjen nga këmbët e Klaus Kasharit, në minutën e 42-të, me sulmuesin i cili tenton një qendrore nga distanca, por topi u ndal nga portieri mik. Kuqezinjtë kontrollojnë më mirë lojën në këtë pjesë të dytë, duke krijuar raste më të mira për të kaluar në avantazh. Goli për Shqipërinë vjen pikërisht në minutën e 56-të, me Devi Duron i cili me shpejtësinë e një rakete nga mesi i fushës, lë pas çdo kundërshtar, duke realizuar golin e epërsisë.

Letonezët realizojnë golin e baraspeshës në minutën e 80-të me Ivulans, i cili depërton në zonë dhe gjen rrjetën.  Shqipëria i mbyll këto kualifikuese në vendin e tretë me dy pikë të grumbulluara në tre ndeshje. Kuqezinjtë humbën me Francën në ndeshjen e parë, ndërsa barazuan me Zvicrën e Letoninë, duke u renditur në 23 skuadrat më të mira për këtë grupmoshë.