Shqipëria shumë shpejt do të bëhet si Kroacia e Greqia/ Tv Francez TF1: Nga diktatura 45 vjeçare, vendi i shqiponjave është kthyer në “Eldoradon e turizmit bombastik”

Listës së gjatë të mediave më të mëdha ndërkombëtare që kanë shkruar këtë periudhë për bumin turistik të Shqipërisë, i bashkohet edhe televizioni prestigjioz, TF1, një ndër kanalet franceze më të njohur në botë. Sipas televizionit francez, për shkak të zhvillimit të këtij sektori, Shqiperia është bërë kali i ri mbi të cilin investitorët e turizmit po vënë bastet e tyre.

“Imagjinoni një vend të shkëputur nga bota për 46 vjet diktaturë dhe më pas, befas, hapet dhe zbulon perlën që fshihte nga turistët e huaj. Është parajsë. Rëra e bardhë, uji i kaltër. Koha, peizazhi, është më bukur sesa e kisha imagjinuar. Dielli, deti, çmimet e lira,”shkruan TF1 në reportazh.

Përgjatë 46 viteve diktaturë dhe që menjëherë, i hapet botës dhe u zbulon perlat që ka fshehur, turistëve të huaj.

Kjo është kthesa e çmendur që ka marrë Shqipëria. Në një dyzinë vitesh, ky vend i panjohur i Ballkanit është kthyer në kalin e ri mbi të cilin, investitorët e turizmit po vënë bast. “Shqipëria do të bëhet si Kroacia, si Greqia…”, thuhet në reportazhin e tv të mirënjohur francez.

Gazetarët ndjekin udhëtimin e një grupi turistësh në jug te vendit, teksa kujtojnë se ky “boom” pason vite të tëra krize ekonomike, ndërsa tani ajo që u ofrohet të huajve janë bukuri të pafundme, por edhe investime cilësore, plazhe të mira, ndërsa analizohet edhe cilësia e ushqimit dhe shërbimit.

Në fokusin e agjencisë së udhëtimit ka qenë zona e Himarës, por edhe pjesë të tjera të jugut shqiptar. Teksa nënvizon se këtë vit, sipas shifrave zyrtare flitet për mbi 1,1 mln turistë më shumë se viti i kaluar, tregohet sesi në Himarë, banorët kanë nisur ta kthejnë masivisht vëmendjen tek turizmi, të cilin e përshkruajnë si sektorin më të mirë për ta…

Një nga turistet e intervistuara franceze, thotë se nuk kishte qenë më parë, por ka mbetur e befasuar nga mikpritja e njerëzve dhe bukuria e zonës.

“Është një mrekulli këtu, është tamam ashtu siç duhet”, shprehet turisti.

Përshkruhet si përrallore nga gazetarët Riviera e bregdetit të Sarandës, me ujra Kristal, panoramën e bukur e qetësinë, ndërsa nuk mungon dhe një vëzhgim mbi kodrat pranë bregdetit ku po investohet kryesisht në ndërtime të resorteve, hoteleve apo lokaleve. Evidentohet po kështu një tipologji gastronomie dhe shërbimi ndryshe, e mbështetur te prodhimet bio të zonës, gatimet tradicionale apo fakti që produktet e bulmetit vijnë direkt nga fermat e kafshëve të zonës ndërsa përdoren fruta e perime të sezonit.Veçanërisht bien në sy ëmbëlsirat me krem, byrekët me qumësht, mishi i shpendëve dhe të tjera. Nuk i shpëtojnë vëmendjes së gazetarëve franceze as festat e hareshme të natës, me magjinë e adrenalinës nga muzika, ndërsa vërejnë se ndihet ndryshimi vit pas viti, teksa thonë se çmimet i shkojnë cilësisë së ofruar gati europiane, madje janë dhe më të lira se në vendet e tjera të njohura të kontinentit, duke përmendur deri edhe Ibizën.

Sipas tyre, Shqipëria është ende e paprekur nga turizmi masiv, prandaj kanë zgjedhur të vijnë në këtë vend. Plazhet e pacenuara dhe autentike, brigjet e mëdha me guralecë, njerëzit e pakët dhe çmimet e ulëta janë gjërat që i pëlqejnë kësaj familjeje për pushimet në Shqipëri.

qeparo, shqiperi

Sipas raportimit të gazetarit francez, për çdo vakt, ushqim, pije dhe ëmbëlsira kushton 50 euro, për 6 anëtarët e kësaj familjeje.  Numri i turistëve francezë që zgjodhën Shqipërinë si destinacion veror për pushimet e tyre është 50 mijë, sipas televizionit francez TF1, dhe po rritet çdo vit.

Uji me temperaturë 27 gradë celcius dhe bregu me guralecë duket sikur është në një nga plazhet më të bukura të Rivierës Franceze. Me ndryshimin, që këtu turistët nuk vijnë vetëm për të bërë banjo dielli, por edhe për të vizituar vendin. Qyteti i Beratit, për shembull, është bërë një ndalesë e pashmangshme e turit për turistët francezë. Ky qytet është renditur në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një çift nga Lioni ka vendosur të kalojë natën në Berat. Falë udhërrëfyesit, ata njihen me qytetin e vjetër. 

Sipas tyre, viti 2019 është mbresëlënës pasi kanë pritur 500 turistë, krahasuar me 100 të vitit të kaluar. Beranger Thibeault është francezi i parë që krijoi agjencinë e tij të parë turistike në Shqipëri. Sot ai po viziton një hotel të ri në bregdet. Si gjithmonë, ai dëshiron të inspektojë gjithçka, duke filluar nga pishina, banja, dritaret, para se t’u ofrojë dhomat me qira klientëve të tij. Ndërsa turizmi po zhvillohet me një ritëm të shpejtë kur i bëni gjërat shpejt, jo gjithmonë rezultati është i përsosur thotë Thibeault. Shqipëria mund të bëhet së shpejti Kroacia e re, por në mes të këtij zhvillimi, vendi duhet t’i rezistojë ndërtimit pa u ndalur, për të mos errësuar qiellin, mbyll reportazhin televizioni francez TF1.