Kombëtarja shqiptare merr një pike shprese për të fituar grupin B1 të Ligës së Kombeve. Barazimi pa gola 0-0 ndaj Republikës Çeke ishte një rezultat tepër i mirë për skuadrën e Silvinjos që duhet të bëj llogaritë në takimin e fundit, atë të së martës në “Air Albania” ndaj Ukrainës.
Përballë Republikës Çeke, kombëtarja kuqezi mendoi më shumë për të mos humbur, objektiv që i mban maksimalisht në lojë për tu pozicionuar në vendin e parë të grupit. Skuadra jonë u shfaq më kërkuese, me Laçin dhe Bajramin që kishin iniciativën, por që në fund nuk ia dolën për të tundur rrjetën kundërshtare.
Një pikë që vlen duke parë edhe barazimin në ndeshjen tjetër me Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Pas 5 ndeshjeve grupi kryesohet nga Republika Çeke me 8 pikë, ndjekur nga Gjeorgjia me 7 po aq sa Shqipëria, ndërsa me 5 pikë gjendet Ukraina e fundit. Dy sfidat e së martës, Shqipëri-Ukrainë dhe Çeki-Gjeorgji shndërrohet në finale të vërteta, me sfidat që do të përcaktojnë fatin e katër kombëtareve në grupin B1.