Shqipëria hedh një tjetër hap drejt grupeve të Euro2024. Në një atmosferë të jashtëzakonshme dhe në sytë e 21.900 tifozëve, kuqezinjtë mahnitën në stadiumin ‘Air Albania’ për të triumfuar me shifrat e pastra 2-0 përballë Polonisë. Emocionet e duelit të transmetuar ekskluzivisht në televizionin kombëtar ‘KLAN’ ishin të shumta. Dy skuadrat u munduan të ishin të qarta në fushën e lojës, me Poloninë që kishte iniciativën, ndërsa Shqipëria mbështetjen e mijëra tifozëve në shkallët e impiantit kombëtar. Në minutën e 21-të, Kivior tentoi të shtang kuqezinjtë, por për fatin tonë të mirë sistemi VAR anuloi golin për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 37-të, stadiumi ‘Air Albania’ shpërtheu në festë pas këtij supergoli të Jasir Asanit. Sulmuesi lëshoi një silurë të vërtetë nga jashtë zonës për të kapur në befasi Shezni për të kaluar në epërsi Shqipërinë.
Pjesa e parë përfundoi 1-0 për kuqezinjtë, të cilët në dhomat e zhveshjeve morën udhëzimet e duhura nga Silvinjo. Braziliani, kreu dy zëvendësime në minutën e 62-të, duke aktivizuar Seferin dhe Dakun. Ky i fundit me prekjen e parë të topit të topit e dërgoi në rrjetë, për të vulosur shifrat përfundimtare në 2-0. Një fitore që merr vlera të mëdha për Shqipërinë, pasi merr kreun e grupit E dhe tre takime nga fundi është shumë pranë kualifikimit për herë të dytë në Europian. Pas 5 sfidave, Shqipëria gjendet në kuotën e 10 pikëve, për të lënë pas Republikën Çeke dhe Moldavinë me 8 pikë. Ndërkaq, Polonia qëndron në vendin e katërt me 6 pikë dhe Ishujt Faroe me 1 pikë.