Shqipëria pjesë e “Giro d’Italia 2025”, Rama: Marrëveshje e vështirë! Nëse ma kërkon Groenlanda, do dërgoja Cairon të negocionte me Trump
Shqipëria do të jetë pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë, “Giro d’Italia 2025”. Lajmi u konfirmua gjatë një eventi të organizuar në Romë, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili, si gjithmonë, nuk kurseu batutat e tij karakteristike.
Duke iu referuar procesit të vështirë të negociatave për përfshirjen e Shqipërisë në këtë garë prestigjioze çiklistike, Rama tha:
“Privilegj i madh të jem këtu. Kam dëgjuar se ishte e vështirë për një marrëveshje me presidentin Urbano Cairo. Më duhet të them që me RCS e arritëm. Nëse ma kërkon Groenlanda, do jepja Cairon të negocionte me Trump,” tha ai, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Gara e famshme do të nisë nga Shqipëria për tre ditë në muajin maj 2025, duke mirëpritur mijëra çiklistë nga e gjithë bota dhe duke tërhequr vëmendjen e rreth 800 milionë spektatorëve përmes transmetimeve në 200 stacione televizive ndërkombëtare.
Kryeministri Rama shprehu entuziazmin për këtë arritje, duke e konsideruar një mundësi të artë për promovimin e Shqipërisë:
“Jam shumë i kënaqur të them që kemi marrë konfirmimin se Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025. E di që konkurrenca ishte e fortë dhe shumë vende të mëdha e të pasura e dëshironin këtë. Por ja ku jemi, me mundësinë për t’u treguar botës vendin tonë të mrekullueshëm,” u shpreh ai.
Ngjarja pritet të jetë një sukses i madh për turizmin dhe imazhin e Shqipërisë, duke e vendosur atë në hartën globale të sportit dhe promovimit kulturor.