Shqipëria në zi, 6 viktima dhe një i plagosur rëndë në 24 orë

6 të vrarë dhe një i plagosur rëndë, ky është bilanci i krimit në vend, në vetëm 24 orë.
Një i vrarë në Memaliaj, 2 në Tiranë, dy në Velipojë e një në Mirditë. Ndërkohë edhe një i plagosur rëndë në Komunën e Parisit në Tiranë.

1.Policia e Shkodrës ka arrestuar një tjetër person lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Velipojë. I arrestuari është Marjo Pali, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.

Lidhur me ngjarjen jane arrestuar dy persona që dyshohet se janë bashkepunetorë. Punonjës ne hotelin ku ndodhi ngjarja Mario Palin dhe Zyber Zagradi, ky i plagosur në këmbë. Ngjarja ku Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi, humbën jetën nga plagët e marra nga të shtënat me armë zjarri, e ka zanafillën disa kohë më parë.Ata u qëlluan nga dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur edhe Zyber Zagradi.  Sipas informacioneve, ngjarja është e lidhur me një konflikt të mëparshëm që ka ndodhur më 28 qershor. Në atë datë, një debat kishte shpërthyer mes kamarierit dhe kuzhinierit të një lokali dhe pronarëve të hotelit, Eduart dhe Gëzim Frroku.Shtetasi Ersild Ishmi kishte ardhur për të diskutuar me pronarët për shkak të lidhjeve miqësore që kishte me kamarierin dhe kuzhinierin. Për këtë ngjarje, si rezultat, Ishmi ishte arrestuar dhe më vonë ishte liruar me masën arrest shtëpie nga gjykata, masë e cila ishte në fuqi. Po tre plumba ka marrë edhe Arsid Hoxha, dy në bark dhe një në gjoks. Autorët, pronarë të hotelit kanë qëlluar plot 6 herë me armë zjarri pistoletë.

2.

Ngjarja në Komunën e Parisit ka ndodhur pak pas mesditës së djeshme, kur Goxharaj ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të Kostas, punonjës i ERE-s. Kosta mbeti i plagosur në këmbë, ndërsa Goxharaj vijon të jetë në arrati. Dyshohet se një konflikt i çastit ka çuar në përdorimin e armës nga punonjësi i policisë kufitare, të cilit i është bërë thirrje që të dorëzohet.

Policia në një njoftim të bërë në orët e vona të së hënës deklaroi se ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë euro për cilindo që jep informacione që do të çojnë në arrestimin e Goxharajt.

Njoftimi zyrtar

Lidhur me ngjarjen e datës 19.08.2024, ku rreth orës orës 14:30, në rrugën “Tish Daija”, përballë me market “Xhangolli”, si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur shtetasi Lorenc Vasil Kosta, i datëlindjes 14.12.1979, lindur në Berat dhe banues në Tiranë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Agjensinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Drejtoria Rajonale Tiranë, pas kryerjes se veprimeve të thelluara hetimore dhe informacioneve të marra nga inteligjenca policore, bënë të mundur indentifikim dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Erjon Goxhara, 46 vjeç, banues në Tiranë, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shperthyese dhe o municionit”, parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Nga terësia e veprimeve të thelluara hetimore e procedurale, si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, pyetja e dëshmitareve okularë, ka rezultuar se me datë 19.08.2024, rreth orës 14:00, në rrugën “Tish Daija”, përballë me market “Xhangolli”, Tiranë, shtetasi Erjon Xhevdet Goxhara i datëlindjes 27.01.1978, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policisë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, jashtë shërbimit, për motive të dobëta ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Lorenc Vasil Kosta, i datëlindjes 14.12.1979, banues në Tiranë, me arsim të lartë, i cili si pasojë e të shtënave ka marrë disa plagë në trup (bark dhe gjymtyrët e poshtme).

Menjëherë pas ngjarjes i dëmtuari Lorenc Kosta, është dërguar për ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekve, ndërsa autori i dyshuar Erjon Goxhara është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i’u shmangur ndjekjes policore.

Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronxi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronxi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, etj.

Lidhur më këtë ngjarje, janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitar okularë, dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.

Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor, me prova, të kësaj ngjarje kriminale, lokalizimin dhe kapjen e autorit Erjon Goxhara, i cili është shpallur në kërkim.

Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetur nga Forcat Speciale RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare janë angazhuar në një operacion të gjërë kërkimi, lokalizimi dhe kapjen e personit të kërkuar, kryesisht në përiferi të Tiranës ku dyshohet se autori është larguar pas ngjarjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për cilindo që jep informacion të saktë për vendodhjen e personit të kërkuar Erjon Goxhara, vë në dispozicion si shpërblim shumën prej 10.000 euro, si dhe numrin kontaktit celular 0694111546, duke siguruar anonimatin e plotë.

3.

Strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.3 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor tëJuridiksionit të Pëgjithshëm Tiranë, kanë kryer të gjitha veprimet e domosdoshme procedurale s: këqyrjen e vendit të ngjarjes, pyetjen e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, këqyrjen paraprake të kufomave në praninë e mjekut ligjor, këqyjen paraprake të kafshëve në praninë e një mjeku veteriner, sekuestrimin e provave materiale si;

– litarët e gjendur në trupin e dy kufomave;
– një letër e shkruar me shkrim dore në gjuhën angleze në të cilën përshkruan veprimet që ka ndërmarë autori;
– dorëshkrime të mëparshme të shtetasit Matthew Janes Wertz;
– dorëshkrime të mëparshme të shtetasit Matthew Janes Wertz të sekuestruara në shkollën private ku ai jepte mësim;
– një telefon celular;
– katër kompjutera laptop;
– një shkop bejzbolli;
– një shumë parash në lekë shqiptare dhe valuta të huaja;
– një automjet tip Mercedes A Class, me targë AA 510 YP në pronësi të shtetasit Matthew Janes Wertz.
Fillimisht është gjetur trupi i pajetë i amerikanit i vetëvarur, ndërsa më vonë, duke kërkuar për prova të reja, janë gjetur trupat e pajetë të bashkëshortes së tij me origjinë nga Indonezia, por me pasaportë amerikane. 53-vjeçari amerikan, pasi e ka mbytur gruan, e ka mbuluar trupin e saj me rroba dhe sipër tyre ka vendosur 2 trupat e mbytur të dy qenve. Paraprakisht dyshohet që ngjarja të ketë ketë ndodhur në kushte depresioni, por kjo është pistë paraprake dhe po hetohet nga policia. Ngjarjen e ka zbuluar drejtori i shkollës pasi amerikani nuk ka shkuar në shkollë. Kur ka hapur derën e ka gjetur dhe ka njoftuar policinë. Autopsia e kufomave do të kryhet më datë 20.08.2024 në Insitutin e Mjeksisë Ligjore Tiranë.Të gjitha provat e sekuestruara do ti nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme kriminalistike dhe Mjeko-Ligjore.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Pëgjithshëm Tiranë vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë. Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Pëgjithshëm Tiranë për veprat penale, “Vrasja për shkak të mardhënieve familjare” parashikuar nga neni 79/c të Kodit Penal dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit” parashikuar nga neni 207/b i Kodit Penal.

4.

Një 68-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri në banesën ku kalonte muajt e verës në fshatin Lajthizë në Mirditë. 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte.

“Më datë 20.08.2024, shtetasja L. R. ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin F. R., 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor.Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën.

Deri në këto momente janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati. Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat”, njofton policia.

 

Check Also

Meloni – Starmer: Pakti me Shqipërinë për emigrantët, model për vendet e tjera

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrave të përpunimit të azilkërkuesve në Gjadër …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *