Shqipëria në rrezik, gripi në sulm! Mbi 23,400 raste infeksionesh respiratore në javën e fundit të janarit
Shqipëria po përballet me një valë të fortë të infeksioneve respiratore, me mbi 23,400 raste të raportuara në javën e fundit të janarit, sipas Institutit të Shëndetit Publik. Epidemiologët paralajmërojnë se po qarkullojnë disa viruse, por dominues janë gripi A dhe B, veçanërisht nëntipet AH1N1 dhe AH3N2 (i njohur si nëntipi australian).
Ky virus ka shkaktuar temperatura të larta deri në 40°C, veçanërisht te fëmijët, dhe simptomat zgjasin nga 5 deri në 7 ditë. Situata aktuale paraqitet më e rëndë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se numri i rasteve mund të rritet më tej.
Fëmijët janë më të prekurit, duke krijuar mbingarkesë në urgjencën pediatrike dhe qendrat shëndetësore. Edhe të rriturit, sidomos ata me sëmundje kronike, po shfaqin komplikacione të rënda, duke kërkuar trajtim në spitalet kryesore, përfshirë ish-Sanatoriumin e Tiranës dhe shërbimin infektiv.
Përveç gripit, po qarkullon edhe virusi respirator sincicial dhe SARS-CoV-2, megjithëse ky i fundit në raste më të rralla. Kjo situatë ka ndikuar edhe në arsimin, ku mungesat e nxënësve dhe mësuesve në shkolla janë të larta për shkak të infeksioneve.
Durrësi kryeson me numrin më të lartë të rasteve të gripit, dhe spitali i qytetit ka raportuar një fluks të shtuar pacientësh. Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, higjienë dhe vaksinim për grupet e rrezikuara që ende nuk janë infektuar.