Shqipëria i del në krahë Kosovës dhe për herë të parë nuk mbështet deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë në emër të Bashkimit Evropian, në lidhje me Dialogun Kosovë-Serbi, të datës 19 shtator 2023
Burime diplomatike pranë BE konfirmojnë ekskluzivisht per Shqiptarja.com se Shqipëria nuk është linjëzuar të martën (26 shtator) me deklaratën, e cila është hartuar nga BE dhe për të cilën i është kërkuar mbështetja vendeve anëtare përpara aktit kriminal, ku humbi jetën një efektiv i Policisë së Kosovës e dy të tjerë u plagosën. Sipas Tiranës, përgjegjësia e asaj që ndodhi në veri nuk qëndron te Kosova.
Edhe pse deklarata i referohet zhvillimeve të mëparshme dhe konkretisht seancës së dialogut të lehtësuar nga BE, në datën 14 shtator 2023 në dritën e zhvillimeve të fundit në Kosovë, burimet diplomatike ndërkombëtare bëjnë me dije se, për Shqipërinë qëndrimet në këtë deklaratë, nuk janë të përshtatshme për situatën aktuale, ku përgjegjësia është e qartë dhe nuk qëndron tek Kosova dhe përfaqësuesit e saj.
Në historinë e marrëdhënieve Shqipëri – BE, kjo është hera e parë që vendi ynë nuk linjëzohet me qëndrimet e Bashkimit Evropian. Vendi ynë i është bashkuar deri sot me të gjitha deklaratat dhe vendimet e BE-së në fushën e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të Unionit, duke ndarë të njëjtat vlera dhe parime mbi të cilat ndërtohet politika e jashme e BE-së.
Edhe vetë Kryeministri Edi Rama pati një reagim të fortë një ditë më parë në lidhje me vendimin e qeverisë serbe për të shpallur zi për vrasjen e 3 pjesëtarëve të grupit të armatosur nga policia e Kosovës, duke e cilësuar si sinjal të keq për rajonin dhe komunitetit euroatlantik. Rama i bëri thirrje BE dhe SHBA të ndërhyjnë menjëherë pasi nesër do të jetë vonë.
Çfarë ndodhi më 24 shtator! ‘Luftë’ në Zveçan, kriminelët serbë vrasin policin! Policia e Kosovës: Ekzekutuam 3 terroristë!
Një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë (24 shtator) ndërsa 3 të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup serbësh prej 30 personash të armatosur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit. Policia arriti të rimerrte kontrollin në orët e mbrëmjes së 24 shtatorit, ndërsa vrau 3 sulmues, dhe arrestoi 6 të tjerë, 2 prej tyre të plagosur. Kosova akuzon Serbinë se ka financuar grupin kriminal. Vuçiç e mohon e thotë se shkaktar është Albin Kurti.
Çfarë parashikon deklarata BE-së të cilën Shqipëria refuzoi ta mbështesë
Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët kanë rënë dakord në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.
BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i policëve serbë të mos behën pjesë e policisë së Kosovës/ popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi i udhërrëfyesit nga ana e Serbisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut.
Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme. BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.
BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajčák, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dy vendet rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane.