Shqipëria në Europian! Uefa, vendi i 1 dhe shpërblimet, objektivat e kombëtares në 2 ndeshjet e fundit

Jo vetëm kualifikimi, por e rëndësishme për kombëtaren është që të shkojë në Europian si kokë grupi. Kjo sepse kuqezinjve u mundëson një short më të lehtë për Gjermani 2024, ndërsa në momentin që pret bileta UEFA akordon edhe një shpërblim të majmë.

Matematika ende e pengon, por Kombëtarja sipas projeksioneve të UEFA-s me 99% është kualifikuar në Gjermani 2024. Kuqezinjve u mjafton 1 pikë në nëntor kundër Moldavisë, por me rëndësi do jetë që të besuarit e Sylvinho-s të ruajnë vendin e parë.

Kjo sepse do ishte një bonus i madh kur më 2 dhjetor të hidhej shorti për fazën e grupeve të Europianit. Shqipëria do shortohej në vazon e dytë dhe të paktën në letër do të kishte mundësi më të mëdhaja për të avancuar më tej. Me këtë skenar do ishin dy kundërshtarë më të lehtë, por gjithsesi përcaktimi i vazove të grupeve është subjekt i rezultateve të ardhshme.