Shqipëria është gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Pas përfundimit të konferencës treditore të ambasadorëve, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se kanë nisur përgatitjet që Konferenca Ndërqeveritare të mbahet në fund të muajit Shtator.
Hasani tha se Shqipëria dhe Greqia janë në rrugën e duhur të marrëdhënieve diplomate dhe se debatet politike nuk duhet të bëhen pengesë për integrimin e vendit.
“Vlerësojmë maksimalisht fqinjët tanë direkt që janë Greqia, Italia dhe Turqia. I vura në rend alfabetik. Ky është fokusi i punës që do të kemi në rajonin e menjëhershëm. Mos të harrojmë sa shumë ka ndodhur dhe është bërë midis Shqipërisë dhe Greqisë, sa shumë ka ndodhur dhe është bërë midis dy vendeve tona, me momente të vështira dhe momente shumë të mira, por padyshim që dy popujt janë shumë afër dhe do vazhdojnë të jenë shumë afër dhe rrugëtimin e Shqipërisë ne padyshim e shohim edhe me mbështetjen e Greqisë dhe kjo është një nga gjërat evidente dhe nuk ka pse ta përsëris në mënyrë të vazhduar”, tha Hasani.
Ministri i Jashtëm u shpreh i pakënaqur me përfaqësimin e Kosovës në konferencën e ambasadorëve, ndërsa tha se të hënën do të takohet me homologen e tij të Kosovës në Lubjanë.
Ndërkohë tashmë shqipëria ka nisur përgatitjet për të mirëpritur samitin e NATO-s në vitin 2027’
Siç e tha dhe kryeministri në kalendarin e aktiviteteve të NATO-s 2027 është vendosur që do të organizohet në Tiranë. Logjika është që vitin e ardhshëm samiti i ardhshëm do të zhvillohet në Holandë, dy vjet më pas në Turqi dhe në 2027-ën është Tirana që do ta mirëpresë këtë event të rëndësishëm. Jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Kemi nisur identifikimin e ambienteve, fondeve dhe njerëzve që e bëjnë të mundur. Kjo tregon se Shqipëria është partner i rëndësishëm dhe aleat i domosdoshëm në gjithëpërpjekjen e organizatës së Atlantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe në fokus zhvillimet e fundit’ tha ministri Hasani.
Hasani foli dhe për risitë në ministrinë që ai drejton, që nga propozimi për ligjin për shërbimin e jashtëm deri te krijimi i një drejtorie të re për koordinimin e shqiptareve në rajon.
Kemi miratuar një strukturë të re të ministrisë së jashtme. Më thelbësorja është një drejtori që do të angazhohet me të gjithë shqiptarët në rajon”
Ndërsa vitin e ardshëm Tirana do të jetë mikpritëse e Komitetit Politik Europian ku do të jenë prezentë liderët e 44 shteteve.
“Formula është që Komuniteti Politik Evropian mblidhet 2 herë në vit, njëherë në një vend të BE, një herë në një vend jo të BE-së. Mbledhja e radhës u zhvillua në Mbretërinë e Bashkuar, në fund të vitit do të zhvillohet në Hungari dhe vitin tjetër do të vijë në Shqipëri. Janë të gjithë këto formate të cilat neve na bëjnë më të përgjegjshëm në të gjithë angazhimet që ne marrim. Më të drejtpërdrejtë në nevojat që kemi dhe në kërkesat që bëjmë, por dhe rrisim vizibilitetin dhe rëndësinë e rajonit nga ne vijmë. Pra nuk është vetëm një përpjekje dhe një angazhim i Shqipërisë, por ne përpiqemi t’i japim vizibilitetin e nevojshëm të gjithë rajonit ku ne jemi”, tha Hasani.
Ministri u ndal dhe tek ligji i Shërbimit diplomatik për të cilin tha se do të mbajë larg ish bashkëpunëtorit të sigurimit të shtetit dhe do të hapë dyert për shqiptarët që punojnë në organizma ndërkombëtare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.