Shqipëria mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale kundër sanksioneve të Trump

Shqipëria ka nënshkruar një deklaratë ndërkombëtare së bashku me 79 shtete të tjera, duke shprehur mbështetje për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), pas vendimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur sanksione ndaj punonjësve të kësaj gjykate.

Deklarata e përbashkët u publikua disa orë pasi Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj stafit të Gjykatës së Hagës dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Trump pretendoi se gjykata ka shënjestruar padrejtësisht SHBA-në dhe Izraelin në hetimet e saj.

“Ne, Shtete Palë të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, rikonfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për pavarësinë, paanësinë dhe integritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale,” thuhet në deklaratën e përbashkët. Sipas saj, gjykata është një shtyllë jetësore për drejtësinë ndërkombëtare dhe garanton llogaridhënie për krimet më të rënda.

Sanksionet u vendosën pas shpalljes në kërkim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe ministrit të tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, nën akuzën për krime kundër njerëzimit gjatë Luftës në Gazë. Në të njëjtën çështje është përfshirë edhe Ibrahim Al-Masri, një komandant i lartë i Hamas, i cili ndërkohë është vrarë gjatë luftimeve nga forcat izraelite.

Gjykata Ndërkombëtare Penale u themelua në vitin 2002 dhe ka 125 shtete palë, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila vazhdon të mbështesë fuqimisht rolin e saj për drejtësinë ndërkombëtare.