Shqipëria ka rreth 4 mijë shkencëtarë, dominojnë femrat

Shqipëria ka rreth 4 mijë shkencëtarë, apo persona që punojnë për konceptimin dhe krijimin e dijeve, produkteve, proceseve, metodave dhe sistemeve të reja. Të dhënat bëhen publike për herë të parë nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Ajo që bie në sy është se ndryshe nga vite më parë, kur dominon meshkujt në kërkimin shkencor, tani shkenca është marrë në dorë nga femrat.

Konkretisht 3.748 persona janë angazhuar në aktivitetin e Kërkim dhe Zhvillim në Shqipëri me kohë të plotë dhe të pjesshme, 54,4 % e zënë femrat. Numri më i lartë i personelit të angazhuar në Kërkim dhe Zhvillim i përket sektorit të institucioneve të arsimit të lartë, me 81,6 %, pasuar nga ndërmarrjet private dhe OJF-të me 9,6 % dhe sektori shtetëror me 8,8 %.

Kërkuesit Shkencorë zënë pjesën më të madhe të personelit të angazhuar me rreth 55,2 %, personel profesionist me 21,6 %, personel teknik me 10,6 % dhe personel mbështetës me 12,6 %.

Bazuar në klasifikimin sipas nivelit arsimor për sektorin e IAL-ve, personeli me nivel arsimor “Doktorant” zë peshën më të madhe me 51,2 % dhe krahasuar me vitin 2021 është rritur me 5,2 %.