Shqipëria hap më 15 tetor negociatat me BE për grup kapitullin e parë

15 tetori do të shënjojë një hap të rëndësishëm për vendin tonë sa i takon rrugëtimit europian. Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Europian për grup kapitullin e parë. Takimi do të jetë në nivel ministror  në Luksemburg, ndërsa po në këtë datë mbahet edhe konferenca e dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Grup kapitulli i parë është një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Grup kapitulli i parë, ose siç quhet ndryshe ‘bazat’ ose ‘themeloret’, përfshin kapitujt si më poshtë:

Grup kapitulli i parë
-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma e administratës publike
-Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Kapitulli 5 – Prokurimi publik
-Kapitulli 18 – Statistikat
-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Ky grup kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022.