“Shqipëria është Europë si Italia”/ Giorgia Meloni në Samitin e Tiranës: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE forcon sigurinë e kontinentit
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, në fjalën e saj gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, nënvizoi rëndësinë e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë proces si të domosdoshëm për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.
“Është një moment i rëndësishëm për kombin shqiptar dhe për të gjithë ne. Identiteti europian i Shqipërisë është një fakt historik. Shqipëria është Europë si Italia, pavarësisht nëse je pjesë e një organizate të caktuar apo jo. Gjithmonë buzëqesh kur dikush përpiqet të përcaktojë se kush është europian e kush jo. Të gjitha shtetet në këtë tryezë janë pjesë e Europës ashtu si 27 shtetet anëtare,” theksoi Meloni.
Ajo shtoi se zgjerimi i Bashkimit Europian përfshin sfida të reja, por është në interesin e përbashkët të të gjithë kontinentit, pasi fatet e vendeve europiane janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin.