Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje historike për energjinë e rinovueshme

Në Abu Dhabi është nënshkruar një marrëveshje strategjike mes Shqipërisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Italisë për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë në detin Adriatik dhe për investime të reja në burimet e rinovueshme të energjisë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, e quajti këtë bashkëpunim një “aleancë strategjike” për energjinë e rinovueshme.

“Shqipëria🇦🇱, Emiratet Arabe🇦🇪 dhe Italia🇮🇹 bashkohen në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme. Nënshkruhet marrëveshja për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë dhe për rritjen e kapacitetit të prodhimit të energjisë së gjelbër në Shqipëri,” shkroi Rama.

Shqipëria si lojtar rajonal në energjinë e ripërtëritshme

Në fjalën e tij në Samitin “Abu Dhabi Sustainability Week”, Rama theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për rritjen e kapaciteteve energjetike të Shqipërisë, duke e pozicionuar vendin si një aktor kyç në rajon.

“Ky projekt do të rrisë kapacitetin tonë për të qenë 100% prodhues të energjisë së ripërtëritshme dhe një faktor i rëndësishëm në tregun energjetik rajonal,” tha Kryeministri.

Ceremonia e nënshkrimit

Në ceremoninë zyrtare ishin të pranishëm:

•Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,

•Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni,

•Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed,

•Përfaqësues të tjerë të qeverive të vendeve përkatëse.

Kjo marrëveshje pritet të sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe energjetike për të gjitha palët, duke e bërë Shqipërinë një pikë të rëndësishme lidhjeje në rrjetin energjetik mes Europës dhe Lindjes së Mesme.