Shqipëria ka marrë ftesë për të qenë Vendi i Nderit në Qendrën e Panaireve në Berlin. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, teksa e konsideron këtë si një promovim të jashtëzakonshëm të vendit. Rama është takuar me bosin e Qendrës së Panaireve të Berlinit Mario Tobias si dhe drejtuesen e ITB Deborah Rothe për hapat e bashkëpunimit.
“Me Mario Tobias, bosin e Qendrës së Panaireve të Berlinit, ku mbahet edhe panairi më i madh në botë i turizmit “ITB Berlin”, si edhe me Deborah Rothe, drejtuesja e ITB, për të diskutuar hapat e bashkëpunimit në funksion të edicionit të vitit të ardhshëm të panairit të turizmit, ku Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë Vendi i Nderit, duke fituar pozicionin qendror në panair dhe mbështetjen e ITB për promovimin e turizmit shqiptar në një zinxhir të tërë aktivitetesh që kulmojnë në mars 2025 në shfaqjen e madhe të Berlinit; një vlerësim i paimagjinueshëm deri disa vite më parë dhe një promovim i jashtëzakonshëm global për #ShqipërinëTuristike”, shkruan kryeministri.