Takimi i Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Tiranë më datën 16 maj 2025.
Ky samit do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe vjen vetëm një javë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Më herët u diskutua dhe mundësia e mbajtjes të këtij samiti në datën 9 maj, gjë e cila solli dhe reagime të shumta të partive opozitare, me pretendimin se ardhja e liderëve europianë në vendin tonë do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Më 7 nëntor, në mbledhjen e fundit të Komunitetit Politik Europian në Budapest, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideroi si privilegj faktin se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në vendin tonë.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, pas takimit të Komunitetit Politik Europian, kryeministri Rama vlerësoi mbledhjen e Komunitetit Politik Europian në Budapest, ku sipas tij e gjithë Europa ishte mbledhur në një vend.
Kryeministri u shpreh se “do të jetë një privilegj mjaft i madh për të punuar si ekip për ta bërë takimin e ardhshëm në Tiranë po kaq të suksesshëm sa ky”.
“Ka qenë një ditë shumë e veçantë sepse ky është një kryeqytet mjaft i bukur dhe kemi pasur edhe shansin për ta shijuar edhe bashkëbisedimet me kryeministrin kanë qenë veçanërisht shumë speciale. Po ashtu ta shohësh edhe të gjithë Europën që të mblidhet në këtë vend”, tha Rama ndër të tjera më 7 nëntor.