Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027. Njoftimi u dha gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë, ku Rama theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje ndërkombëtare për vendin.
“Shqipëria është bërë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në 2027. Duhet të marrim zyrtarisht konfirmimin e këtij aktiviteti me shumë vlerë për vendin,” tha Rama para se të largohej nga takimi për një udhëtim jashtë vendit.
Në lidhje me organizimin e kësaj ngjarjeje, Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond shtesë prej 150 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Drejtësisë. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, fondi do të përdoret për përgatitjen dhe organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë.
“Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, i shtohet fondi prej 150 milionë lekësh për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit 2027. Fondi do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”
Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn menjëherë në fuqi.
Ky Kongres është një mundësi për të promovuar Shqipërinë si qendër ndërkombëtare diskutimesh për çështjet ligjore dhe për të forcuar imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.