Shqipëria dhe Mali i Zi forcojnë bashkëpunimin në drejtësi, Olsian Çela: Marrëveshja na afron më shumë me BE

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë firmosur sot një memorandum mirëkuptimi që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në çështjet e drejtësisë dhe rritjen e koordinimit mes institucioneve të tyre.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, gjatë fjalës së tij theksoi se ky memorandum do të ketë një efekt pozitiv dypalësh dhe se veprime të tilla janë domosdoshmëri për të përballuar sfidat e përbashkëta në fushën e drejtësisë.

“Duhet të përcaktojmë qartë trajektoren që do të përshkruhet në drejtim të bashkëpunimit rajonal për çështjet e drejtësisë. Arritjet e deritanishme përbëjnë një progres të dukshëm dhe tregojnë se sistemet tona të drejtësisë janë në rrugën e duhur të standardizimit dhe harmonizimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Çela.

Ai shtoi se ky forum është një mundësi për të bërë një bilanc të arritjeve, për të evidentuar problemet dhe për të përcaktuar se çfarë mund të bëhet më mirë në të ardhmen. Sipas tij, vullneti institucional që po shprehet në këtë forum konfirmon përkushtimin e vendeve të rajonit për të kontribuar në procesin e integrimit europian.

“Jemi të vetëdijshëm që puna jonë, edhe në raportin rajonal, lidhet ngushtë me këtë proces. Ky projekt ka hedhur themelet drejt një integrimi më të fortë dhe më të sigurt me familjen evropiane”, përfundoi Çela.