Këngëtarja e njohur, Rozana Radi, ka folur për herë të parë për dhimbjen e thellë që i ka lënë humbja e prindërve të saj, të cilët janë ndarë nga jeta prej kohësh.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, Rozana u shpreh se ajo vazhdon të përballojë këtë humbje të madhe, si një boshllëk që askush nuk mund ta mbushë.
“Sa herë flas për ta, kam një bllokim, më merret goja. Nuk është se nuk dua të flas për ta, sepse nëse do kisha mundësi, mund të flisja për orë të tëra për babin, për mamin, për Frankon dhe për miqtë që kam humbur. Por faleminderit Zotit, që i kam pasur sa kam pasur, dhe m’i la aq sa m’i la. Mund të m’i kishte marrë më herët”, tha ajo.Ajo shprehu mirënjohjen për kujtimet që ka me ta dhe tha se është e lumtur që ka mundësinë të mbajë gjallë ato momente të dashura.
”Shpresoj të jem ajo që ata kanë dashur të jem. Nuk kam mundësi të bëhem 100% ajo që ata do, por mendoj se mund të jem 60% e asaj që ata kërkuan. Gabime kam bërë, patjetër, por kjo është një udhë që po e ec me gjithçka që kam mësuar prej tyre”., u shpreh Rozana.
Ajo theksoi se i mungon shumë mendimi i prindërve, veçanërisht ai i babait, të cilin e pyet shpesh në mendje, duke menduar: “Si do të kishte menduar babi për këtë gjë që po bëj tani?”