Shpëtoi 21 persona në “diskotekën e vdekjes”, i riu pritet si hero në shkollë

19-vjeçari nga Vinica, Jovan Kostadinov, i cili në zjarrin që kaploi diskotekën në Koçan shpëtoi 21 persona, sot në mëngjes është pritur nga shokët dhe shoqet e gjimnazit të Vinicës me duartrokitje dhe me pankarta mirënjohjeje për sakrificën dhe guximin e tij.

Ai ishte i shtruar në Klinikën e Toksikologjisë për shkak të thithjes së tepërt të monoksidit të karbonit dhe është trajtuar për një javë në klinikë, ndërsa është liruar nga spitali në gjendje të përgjithshme të përmirësuar shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari shkruan se 19-vjeçari tashmë është hero i gjithë vendit.

“Sot, me emocion të thellë dhe krenari të pafund, ndaj me ju lajmin se më në fund është rikthyer në shtëpi Jovan Kostadinov, i riu trim që shpëtoi 21 jetë në tragjedinë e zjarrit të Koçanit.

Ka raste kur fjalët nuk mjaftojnë dhe kjo është një prej tyre. Si të përshkruhet një shpirt kaq trim dhe vetëmohues, që në momente paniku dhe rreziku nuk mendonte për veten, por vetëm për të tjerët?

Jovani, i cili është vetëm 19 vjeç, veproi si një hero i vërtetë. Ai hyri përsëri dhe përsëri, jo një herë, jo dy, por më shumë se 20 herë, për të ndihmuar të bllokuarit në flakë. Ai rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar të tjerët.

Trupi i tij mban plagët e heroizmit të tij, por zemra e tij mbart diçka shumë më të madhe: respektin, admirimin dhe dashurinë e një kombi të tërë.

Jovani nuk është vetëm një hero i Koçanit. Ai është një hero i gjithë vendit tonë. Një simbol i asaj që do të thotë të vendosësh njerëzimin mbi frikën. Një kujtesë për të gjithë ne se sa shumë mund të bëjë një person me zemër të madhe”, shkruan Taravari.