Shpërthimi në Lushnje, mjeku: Një i plagosur me hematomë në kokë, deputeti ka cifla metalike në trup
Një prej të plagosurve nga shpërthimi në Lushnje ndodhet në gjendje më kritike pasi ka një hematomë të madhe në pjesën e kokës.
Shefi i Urgjencës së Traumës, Gjovalin Bushi ka dhënë informacion, duke thënë se punëtori 41-vjeçar është futur aktualisht në sallën e operacionit.
“Pacienti i parë ka ardhur rreth orës 5 e gjysmë, kishte dëmtime në kokë. Kishte hematomë masive, ky pacient është në sallë duke u trajtuar. Bëhet fjalë për 41-vjeçarin”, u shpreh mjeku.
Lidhur me situatën e rëndë, foli në “Top News” edhe deputeti i Lushnjes, Saimir Korreshi, duke e cilësuar si “dramatike” situatën.
“Situata është dramatike, në fillim humbi jetën i ati, më pas djali gjatë transportimit në spital. Çela ka pasur plagë, djegie, dhe një plagë pranë kofshës. Ka qenë tre orë në ndërhyrje kirurgjikale. Shpresojmë të mos ketë komplikacione”, u shpreh Korreshi.