Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur qytetin e Lezhës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, ku një sasi eksplozivi është vendosur dhe ka shpërthyer pranë një lokali në pronësi të Ilir Markvukaj, 47 vjeç. Për fat të mirë, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, një person i maskuar me kapuç është afruar te lokali dhe ka vendosur lëndën plasëse, për t’u larguar menjëherë pas shpërthimit.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve të sulmit.
Ende nuk dihen motivet e këtij shpërthimi, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse pronari i lokalit kishte konflikte të mundshme që mund të kenë çuar në këtë akt kriminal.
View this post on Instagram