Shpërthim te zyrat e Postës së Kosovës në Zveçan, policia jep detajet e para

Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, ndërsa për fat të mirë nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.

Sipas informacioneve paraprake, xhamat e ndërtesës janë thyer, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë qëndruar dhjetëra forca policore dhe ekipet e deminimit, të cilat kanë kryer edhe një shpërthim të kontrolluar të një pajisjeje tjetër eksplozive, e cila ishte hedhur brenda objektit.

Në këtë ndërtesë vetëm pak ditë më parë ishte vendosur shenja e Postës së Kosovës, ndërkohë që më parë aty operonte Banka e Kursimeve Postare serbe, e cila u mbyll vitin e kaluar nga autoritetet e Kosovës.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.